e enjte, 18 prill 2013

Klopp: Nuk është më Reali i grupit

Borussia Dortmund rigjen në gjysmëfinalen e Champions League një kundërshtar të njohur, Real Madrid, skuadër ndaj të cilës triumfoi në ndeshjen e shtëpisë. Por ndeshja që do të luhet pas rreth një jave ka një histori të ndryshme dhe këtë e di shumë mirë edhe trajneri i skuadrës gjermane, Jurgen Klopp.

"Reali është një skuadër e ndryshme nga ajo që u përball me ne në ndeshjet e grupit. Në këto takime mungoi Marcelo,një nga mbrojtësit më të mirë. Ata janë bërë një skuadër më e fortë por edhe ne kemi evoluar. Do të luajmë për t’u dëfryer dhe me shumë dëshirë sepse jemi në gjysmëfinale2, ka thënë Jurgen Klopp.

Klopp vë theksin në disiplinën që duhet të ketë një skuadër dhe që sipas tij,Borussia e Dortmundit e ka. Një gjë e tillë duket edhe nga fotot e publikuara në disa media të ndryshme ku tekniku gjerman dhe disa lojtarë duken në harmoni të plotë me njëri tjetrin gjatë një seance stërvitore. Duke folur për filozofinë e futbollit që aplikon, 45-vjeçari e pranon se pa disiplinë nuk mund të luhet një futboll i bukur.

"Unë u them përherë lojtarëve të vendosin zemrën në fushë. Është mënyra më e mirë për t’i kaluar emocionet pa përdorur ilaçe. Nuk kam vuajtur asnjëherë nga emocionet e mëdha sepse arrij të luaj me një skuadër që di të konkurrojë si në Bundesligë ashtu edhe në nivelet më të larta të futbollit europian".

A do të jetë Madridi ndalesa e radhës për teknikun gjerman?

"Në fillim dua të pyes se çfarë do të bëjë Jose për sezonin e ardhshëm por përveç kësaj dua të vazhdoj punën me Borussia Dortmund. Emri im lakohet si i përzgjedhuri i Mourinhos pas largimit dhe ky për mua është një nder i madh", thekson Klopp.

Kampionët e Gjermanisë kanë në gjirin e tyre dy yje që mbajnë mbi shpatulla peshën më të madhe të repartit të sulmit si Goetze e Reus, por si e shikonKlopp bashkëjetesën e tyre?

"Mund të them se shkojnë mirë bashkë dhe kjo ka një efekt pozitiv edhe për lojën e skuadrës. I vlerësoj të dy për punën e madhe që bëjnë në fushën e lojës edhe pse në skuadrën time ka shumë lojtarë që bëjnë të njëjtën gjë", vijon tekniku gjerman.

Në fund, Klopp nuk mund të evitojë edhe një pyetje se si e pret ai që të jetë ndeshja kundër Real Madrid, por mjaftohet duke thënë se për një gjë të tillë do fillojë të mendojë të hënën dhe të martën.

Nuk ka komente:

Posto një koment